Sunday, June 30, 2013

Aksion i mërgimtarët për Luginën e Preshevës, ndërtohen mbi 50 shtëpi

Me qëllim të parandalimit të shpërnguljeve të shqiptarëve nga Lugina e Preshevës, mërgimtarët, që janë bërë bashkë rreth Fondit Humanitar të Kosovës Lindore në Zvicër, kanë vendosur të fillojnë aksionin e ndërtimit të më se 50 shtëpive për familjet pa kulm mbi kokë, fuqia ekonomike e të cilave nuk u jep mundësinë që ta sigurojnë atë.Xhelal Mehmeti, kryetar i FHKL-së në Zvicër, në një prononcim për Preshevanews ka theksuar domosdoshmërinë e intervenimit të shpejtë infrastrukturor, në mënyrë që familjeve në nevojë t’iu sigurohet kulmi mbi kokë. Në këtë mënyrë, sipas tij, do të mund të shmanget largimi masiv i shqiptarëve nga Presheva, Bujanoci e Medvegja, në kërkim të një jete më të mirë. Sipas Mehmetit, shtëpitë do të kenë nga 70 metra katrorë dhe do të pajisen me të gjitha elementet përkatëse të nevojshme për një familje .
Siç raporton preshevanews, kryesia e Fondit Humanitar të Kosovës Lindore tashmë ka realizuar një sërë takimesh me zyrtarë më të lartë të Luginës, si dhe me përfaqësues relevantë të Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, me qëllim të promovimit të idesë dhe gjetjes së mbështetjes edhe nga ata.
Mehmeti ka ftuar të gjithë ata që kanë mundësi të japin kontributin e tyre për jetësimin e këtij projekti human, në mënyrë që të parandalohet shpërngulja e shqiptarëve nga vatrat shekullore.
FHKL ka ndarë tashmë një fond të caktuar për projektin e ndërtimit të shtëpive në Luginë, por është e domosdoshme ndihma edhe e institucioneve dhe e ndërmarrjeve të ndryshme, pa marrë parasysh se ku ushtrojnë veprimtarinë e tyre, për të ndihmuar këtë projekt, ka thënë Mehmeti.

No comments:

Post a Comment