Zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit 2013 janë të tetat që
zhvillohen në Shqipëri, që nga vendosja e sistemit pluralist politik në
vitin 1991. Shqiptarët vendosin me votë për ata që do na qeverisin në 4
vitet e ardhshme. Procesi i votimit ka nisur sot që në orën 7:00, për
t’i dhënë popullit të drejtën të vendosë me votë për 140 parlamentarët e
rinj. Simbolikisht kryetarja e KQZ-së Lefterie Lleshi ka hapur qendrën e
votimit tek Akademia e Arteve, në Tiranë, aty ku edhe ka votuar.
Pritet
që rreth 3 milionë e 271 mijë e 885 zgjedhës të ushtrojnë të drejtën
për të votuar, bazuar në regjistrin kombëtar elektronik, transmeton
BalkanWeb.
Nga këta për herë të parë votojnë 165 mijë zgjedhës të rinj të
grupmoshave 18, 19 dhe 20 vjeç . Po ashtu drejt kutive, në të gjithë
Shqipërinë do të shkojnë edhe 560 mijë pensioniste nga të cilët 750
zgjedhës konfirmon Ministria e Brendshme nuk janë përfshirë në lista për
shkak të moshës mbi 100 vjeç në datën e votimit dhe se të cilët nuk
janë paraqitur pranë zyrave të gjendjeve civile. Por ndryshe nga këta,
380 persona të moshës 100-vjeçare të tjerë, të cilëve u ishin bllokuar
emrat për shkak të moshës me kërkesë të posacme rifituan të drejtën e
votës.
Në orën 7:00 të kësaj të diele hapën 5508 qendra votimi, të cilat,
pritet të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00, sipas orarit zyrtar.
19 qendra të posaçme votimi janë ngritur dhe në burgje për 5000 të
dënuar dhe paraburgosur që zgjedhjet i gjejnë në qeli.
Subjektet politike janë grupuar në dy koalicione, "Aleanca për
Punësim, Mirëqenie dhe Integrim", e drejtuar nga Partia Demokratike e
kryeministrit Sali Berisha dhe "Aleanca për Shqipërinë Europiane", e
drejtuar nga Partia Socialiste, me kryetar Edi Ramën.
Qarku i Tiranës do të nxjerrë numrin më të madh të deputetëve 32, ku
pritet të votojnë 785 mijë persona kurse ai i Kukësit numrin më të
vogël, 4 deputetë, ku pritet të votojnë 77 mijë.
Në këtë proces zgjedhor ka një numër më të lartë të komisioneve në të
gjithë piramidën elektorale. Po ashtu, ky është edhe procesi më i
vëzhguar nga ndërkombëtarët dhe organizatat në vend. Monitoruesit vendas
janë rreth 8 mijë, ndërsa ata të huaj rreth 1 mijë, në përputhje me
rëndësinë që procesi elektoral i së dielës është konsideruar nga
ndërkombëtarët si tejet të rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në
BE.
Policia njofton se ka marrë në ruajtje 5.508 Qendrat e Votimit në të
gjithë territorin e vendit dhe se në këtë aksion janë angazhuar 6200
policë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve printoi në Slloveni rreth 3 milion e
337mijë e 385 fletë votimi, ashtu siç e parashikon kodi, 2 pwr qind më
shumë se numri i zgjedhësve. Kryetarja e këtij komisioni i bëri apel
komisionerëve në të gjithë vendin që të bashkëpunojnë. Kosto e këtyre
zgjedhjeve është llogaritur nga KQZ rreth 744 milionë lekë. Kësaj vlere
iu shtuan dhe rreth 3 milionë euro të tjera që cilat i janë paguar
kompanisë spanjolle Indra pavarësisht se dy projektet pilote për
numërimin elektronik në Fier dhe identifikimit elektronik të kartave të
identitetit në Tiranë dështuan.
Menjëherë pas votimit kryetarja e KQZ-së Lefterie Lleshi i bëri apel
të gjithë shqiptarëve t’i drejtohen qendrave të votimit, pasi vota e
tyre vlen, siç tha ajo.
“I ftoj shqiptarët të paraqiten të votojnë pasi është përgatitur e
gjithë infrastruktura zgjedhore që të votojnë të lirë dhe në fshehtësi.
Motoja jonë është: Vota jote vlen, votoni”, tha ajo.
Një apel tjetër kryetarja Lleshi e bëri për të gjithë komisionerët
zgjedhorë, të cilët i ftoi të bëjnë detyrën duke iu përmbajtur kodit
zgjedhor.
“Komisionerët të kryejnë detyrën sipas kodit zgjedhor, të jenë jashtë ndikimeve politike”,tha ajo.
No comments:
Post a Comment