Tuesday, June 25, 2013

Vijon numërimi, e majta thellon kryesimin

Dy ditë pas zgjedhjeve parlamentare të kësaj të diele, në të gjitha Komisionet Zgjedhore Zonale vazhdon numërimi i votave, ndërsa procesi përfundoi në Dibër dhe Korçë. Në të gjithë vendin rezultatet e pjesshme të zgjedhjeve të 23 qershorit nxjerrin fitues koalicionin e majtë të drejtuar nga Partia Socialiste.
Duke iu referuar rezultateve, opozita siguron deri në 84 mandate, një rezultat që nuk ishte parashikuar as nga vetë drejtuesit e saj dhe që e shndërron atë në një forcë kushtetuese në Parlament, raporton Top Channel.
Ndërsa të djathtët kanë marrë 54 mandate. Thuajse në çdo qark mazhoranca ka lëshuar mandate dhe këtu nuk kanë bërë përjashtim as zonat që tradicionalisht njiheshin si qarqe bastion të Partisë Demokratike.
Është Shkodra që duhet të ketë prodhuar rezultatin më surprizë, duke përmbysur raportin në 6 mandate me 5 për të majtën, një rezultat që çon për herë të parë të majtën në avantazh në këtë qark.
Koalicioni i drejtuar nga Partia Socialiste është në avantazh deri tani edhe thuajse në të gjitha qarqet e veriut, përjashtuar Kukësin.
Në Fier rezultati i deritanishëm tregon për epërsi të dukshme të opozitës, duke shkuar drejt rezultatit 11 me 5 mandate, ndërsa në Gjirokastër, nga 5 mandate, Partia Demokratike ka marrë vetëm 1.
Ndërkohë, me rezultatet e deritanishme raporti i mandateve për Tiranën është 19 për koalicionin e majtë dhe 13 për të djathtën, në Berat raporti është 6 me 2, në Vlorë 8 me 4, në Elbasan 8 me 6, në Durrës 7 me 6, në Lezhë 4 me 3, në Dibër 3 me 3, në Korçë 7 me 5 dhe vetëm në qarkun e Kukësit raporti është 3 me 1 në favor të koalicionit të djathtë.
Procesi i numërimit vazhdon edhe në Tiranë, edhe pse me ritme më të ngadalta ku sërish rezultati është dukshëm në favor të koalicionit të majtë. Ndërkohë që shifrat e pjesëmarrjes në zgjedhje janë zyrtarizuar në 53,75 %VIDEO ME POSHTE

No comments:

Post a Comment