I
pëlqen politika, por jo të merret me të. Shkruan në ndërkohë opinione
ku i këshillon politikanët. Bindjen nuk e ndërron për hoxhë Irfan Salihu
nga Prizreni, por thotë se kishte qenë pak i emocionuar “i ka plas
zemra”. Pyet se pse nuk reagojë askush për Dardan Islamin që foli në
Video Fest fjalë të ndyta.
Foli pak edhe për
homoseksualizmin, por më së shumti për Islamin. Imami i xhamisë së madhe
në Prishtinë, Shefqet Krasniqi në një intervistë për standardi.info
rrëfen ndryshe nga të tjerat intervista.
Standardi: A iu pëlqen politika?
Krasniqi: Po. Më pëlqen
politika sepse ka sene të mira. Pastaj me politikë dhe nëpërmes
politikës njeriu kryen shumë sene. Shumë të mira i bënë popullit. Zaten
politika sot po e udhëheq botën.
Standardi: Shkruan shpesh opinione dhe iu jep këshilla politikanëve. Pse e bënë këtë?
Krasniqi: Pik së pari
politika është pjesë e fesë. Është pjesë e jetës. Politika sot është
shumë e famshme. Me politikë ec e varet biznesi qe besa edhe feja se
politika e çon fenë poshtë e lartë.
Standardi: Pse i këshillon politikanët. A po e kryejnë punën siç duhet?
Krasniqi: E kemi obligim me
që t’i këshillojmë njerëzit sepse është misioni i ynë. Kështu ka qenë
misioni i profetit Muhamed dhe i gjithë pejgambereve të zotit. Ne i
këshillojmë njerëzit i themi kjo e mirë kjo e keqe. Sepse ne i shohin
nga këndi islam. Ne jemi duke i parë se këta politikanët tanë masin me
shumë peshoja. Nuk e kanë një peshojë, nuk e kanë një platformë
politike, një rregullore, një bindje të caktuar e cila nuk luan dot. Sot
e gjen radikal në aspektin e nacionalizmit, nesër e gjen të butë si
dele, sot e gjen ma katolik se papa, ta lufton fenë tu pretendua, tu
mendu se po afrohet te të huajt, nesër - pasnesër e sheh i bien
pishman...
Standardi: Kombi apo feja, cila vjen në radhë të parë?
Krasniqi: A je shqiptarë a
çka je, më ndryshu nuk mundesh, identiteti yt çka je e kush je, është
dhanë e zotit, andaj nuk ke qa krenohesh para tjerëve. Ti je shqiptarë,
por je shqiptarë nëse ki vlera. Me çka? Ai zotnia që po i thotë vetit
Amerikan mbjell vlera, po përhap vlera në katër anët e botës. Ajo
Amerika që ka qenë e banuar me indian të kuq që kanë qenë njerëzit ma
të prapambetur. Ajo Amerikë sot po përhap vlera në katër anët e botës.
Standardi: E shqiptarët s’po përhapin vlera a?
Krasniqi: Shqiptarët,e kam
fjalën, po krenohen me qata. Ai krenohet që është Amerikan sepse përhap
vlera, ai tjetri krenohet që është gjerman se përhap vlera, e na me çka.
Na tu i anashkaluar vlerat tona krejt. E ndër vlerat tona kryesore e
kemi fenë o vëlla. Islamin. Islami është vlera jonë më e madhe që e ka
kombi jonë qe 500 vjet, është dhurata më e madhe e zotit për kombin
tonë. Edhe falë zotit, ky islam na e ruajti neve identitetin tonë, na e
ruajti gjuhën tonë, nacionalitetin tonë. Përndryshe nuk do të kishin
figuruar as me gjuhë e as me komb, as me emër.
Standardi: Ke qenë i angazhuar në luftë (UÇK). A ke aplikuar për status veterani?
Krasniqi: Po borxh e kemi
pas. Lufta është obligim fetar, feja na obligon me kanë në luftë. Kur o
luftë, luftë, kur o paqe, është paqe. Kur është nevoja me dal me punu,
me dal për vend tanin, e ki borxh. A statusi i veteranit s’më ka
interesu, por kanë kërku prej meje me apliku. Përndryshe nuk kam qenë i
interesuar. Konkretisht komandanti jem Rrustem Berisha.
Standardi: Ke marr pjesë në Koshare?
Krasniqi: Po në Koshare
edhe në Kukës pak kam qenë. Përndryshe nuk më duhet statusi i luftës,
mua më duhet kartela me ua dëshmu disa anti islamistave se myslimanët
luftojnë, se myslimanët janë për paqe. Mua nuk më duhet statusi me shit
mend nëpërmjet sajna e as mu krenu para dikujt, sepse njeriu nuk ka
nevojë mu krenu kur punon në shtëpi të vet se e ki borxh, është shtëpia
jote, toka jote...
Standardi: Ke dal e ke
përkrah para pak ditësh Albin Kurtin për deklaratën që e ka dhënë për
mbulesën. Mirëpo para disa kohësh ke deklaru që nuk duhet të votohet
Lëvizja e Albin Kurtit, Vetëvendosja?
Krasniqi: Po unë prapë në
parime të mia aty jam. Kush e përkrah Islamin edhe i përkrahi,
pavarësisht individit apo partisë. Në momentin që partia apo individi
del na e shan fenë na jem kundër tyre. Me dal kundër islamit e
myslimanëve e me hypë në pushtet me vota të myslimanëve, kjo është me
ardhë e me ta marr bukën te shtëpia e me të pështy apo me të sha. E
jo... Përndryshe Albini ka bërë një ndryshim shumë të mirë pozitiv dhe
kurrë nuk është vonë dhe ne nuk kemi pasur kundër tij diçka personale,
por kundër ideologjisë. Dhe në momentin që e ka përkrah mbulesën unë kem
reaguar në kontestin pozitivë. Me një vërejtje të vogël se jo nga 16
vjet mbulesa, por kur e ka obliguar Zoti. Partitë duhet ta dinë me i
marr votat e shqiptarëve mysliman që thonë la ilahe ill Allah, këtu 96
për qind thonë, edhe me qeverisë vendin e me i fye e me i sha
myslimanët, kjo punë nuk bahet... Nuk kanë me ardhë më lehtë në pushtet
njerëzit pa përkrahjen e myslimanëve, respektivisht, hoxhallarëve dhe
atyre që falen.
Standardi: Ka pasur shumë
reagime edhe për Irfan Salihun, hoxhën nga Prizreni, për deklaratat e
tij... Çka ka ndodh, si e komentoni ju?
Krasniqi: Ka ndodh...
njerëzit kanë kohë me u merr me sene të kota, njerëzit mezi s’presin me
nxjerr naj vegzë me bë sa bualli për çështje fetare. Për çudi asnjëri
prej atyre që folën për hoxhën, nuk folën për atë mbrëmjen e asaj
muzikës qa ke atë natë, që u dal ai njeri shumë i i i... ta quaj
idiot... ta quaj idiot në thonjëza, sepse ka folur fjalë para familjeve,
tu këqyrë njerëzit televizor me motra, me nana e me baba, e me fol atë
fjalë i ka fye të gjitha familjet shqiptare në mënyrën më të rëndë.
Standardi: A më shumë ka fyer Hoxha Irfan apo ky “idioti”, që po e quani ju?
Krasniqi: Hoxha Irfan nuk
ka fye... Hoxha Irfan ka folur për një pjesë të shoqërisë, ato mund të
jenë 100, 50 apo më pak a më shumë, ne nuk mund ta mohojmë se në Kosovën
ton ka lavire, prostituta. Nuk mund ta mohojmë faktin se në Kosovën
tonë po luhet me moral, po nxitet amoraliteti, po stimulohen lidhjet jo
martesore... Reklamohen kondomat nëpër televizionet tona nacionale. A e
dinë çka do të thotë ajo, mos u ndalni prej amoralitetit, veç përdorni
këto. Ky është stimulim, është nxitje.
Standardi: E çka duhet bërë, të mos përdoren kondomat?
Krasniqi: Ai te përdor, të
bënë çka të dojë, por ne e kemi obligim me vetëdijesu shoqërinë, me ua
kujtu njerëzve se kjo dukuri është negative... e hoxha i ngrati është
munduar ta trajtoi këtë fenomen apo dukuri. Kurgja më shumë, me emër e
mbiemër se ka cek hoxha askënd. Nëse e ka cek hoxha parlamentaret,
mësueset, mjeket e ku ta di unë, e kish përfshi një numër të madh të
njerëzve. Ndërsa ai nuk e ka veçu askënd, andaj hoxha nuk ka shkelur
asnjë normë fetare.
Standardi: Është qortuar nga Bashkësia Islame Irfani?
Krasniqi: BIK-u duhet me të
qortua kur e thenë një rregull. Irfani nuk i ka tejkaluar normat.
Irfani ka qenë pak në fjalor i emocionuar, i ka plas zemra. Me i pas
zgjedh fjalët pak ma të buta, kishte qenë më mirë, përndryshe tema si
temë e shtjelluar nuk ka të keqe kurgja. Irfani është njeri intelektual.
Është shumë punëtorë i vyeshëm...
Standardi: A jeni zhgënjyer
me Ferid Aganin, pasi ka premtuar se do ta fut mësim besimin në shkolla
dhe mbulesën do ta rregullojë...?
Krasniqi: Nuk them që jam zhgënjyer. Feridi është një intelektual i mirë, është një vëlla i joni.
Standardi: A keni pritur më shumë nga Agani?
Krasniqi: Po kemi pritur më shumë, natyrisht myslimanët kanë pritur më shumë, por se di...
Standardi.info: A iu ka premtuar diçka ngjashëm me Aganin edhe Behgjet Pacolli kur ka dal në zgjedhje?
Krasniqi: Ne i kemi
ndihmuar Pacollit me ardhë në Qeveri. Edhe Pacolli na u është zotu që ka
me na përkrah edhe ka me punu për realizimin e të drejtave të
myslimanëve, por edhe kjo nuk ka ndodhur dhe jem të zhgënjyer.
Standardi: E kanë shoqëruar Alma Lamën deputeten e Vetëvendosjes Policia, pasi ajo ka thënë se ndjehet e rrezikuar...?
Krasniqi: Jo, jo. Alma Lama
nuk ndjehet e rrezikuar, ia ka fut kot. Natyrisht fjalët e rënda që
janë folur kundër Alma Lamës dhe çdo kujt tjetër ne nuk i përkrahim
asnjëherë. Nuk kemi ardhur me përhap dhunë, nuk kemi ardhur me i fut
njerëzit në fe me dhunë se nuk është program qiellor, nuk është program i
pejgamberit. Në fe nuk ka dhunë. Fundja ajo është e lirë të flet çka do
të dojë, e ka për vete.
Standardi: Po më intereson, a mendoni se dy homoseksual munden ta birësojnë një fëmijë?
Krasniqi: Këta se thotë as
truri edhe zemra se thotë. Nuk ka zemër shqiptari që e përballon këtë.
Nuk ka mendje e logjik e shëndosh që e përballon këtë.
Standardi: Por po e thonë ligjet?
Krasniqi: Sepse po thotë
Evropa, me hy në Evropë sa ma shpejt, sepse është kusht evropian. Në
realitet nuk është kusht evropian, rren është kjo. Nuk është standard
evropian, sepse shteti evropian nuk e stimulojnë të keqen.
Standardi: A duhet të izolohen homoseksualët apo të shërohen?
Krasniqi: Jo duhet të
shërohen. Këta janë të sëmur. Këta shërohen. Shteti duhet me investu në
ta sepse janë të sëmur, sikur ai që është i sëmur nga zemra edhe këta
janë të sëmur. Sëmundje e rëndë. Njerëzit vijnë te unë edhe kërkojnë
ndihmë./Elhami Ismajli- standardi
No comments:
Post a Comment